INTERVISTA Ornela Zani, një blogere udhëtimesh shqiptare që punon në fintech-un estonez
26/04/2023


Që prej katër vitesh, krahas punës së saj Ornela merret edhe me blog për udhëtimet. Ajo thotë se e bën këtë sepse i pëlqen të udhëtojë, të zbulojë vende të reja dhe mbi të gjitha të promovojë vendin e saj.
Grupi fintech Estonez Iute po pushton me shpejtësi vendet e Ballkanit dhe kështu personazhe shumë interesant përfundojnë duke punuar në zyrat lokale. Blogerja e udhëtimeve Ornela Zani punon si specialiste marketingu në zyrat e iute Albania, aktivitetet e së cilës ndiqen nga afro 7000 persona ne Instagram çdo ditë. Ornela ndau me ne, se si u bë blogere udhëtimesh dhe pse vendosi të promovojë vendin e saj.
Na tregoni pak për Shqipërinë. Si do ta përshkruanit me disa fjali?
Shqipëria është një vend i vogël në Evropën Juglindore. Fqinjët tanë janë Greqia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Sipas meje, një nga gjërat më të bukura të vendit tonë është deti. Përtej detit në perëndim, fqinji ynë më i afërt është Italia. Sigurisht, është shumë e rëndësishme te permend që vendi im ka rreth 300 ditë me diell në vit. Për mua është jetike. (Qesh.) Vetëm kjo është arsyeja pse nuk do të jetoja dot diku tjetër. Ne gjithashtu kemi shumë peizazhe natyrore, kështu që çfarëdo që dëshironi të shihni, Shqipëria e ka. Ka plazhe mahnitëse me rërë dhe guralecë, ujëvara, male, liqene, lumenj, kanione dhe pyje. Gjithçka që dëshiron shpirti. Dhe më e mira: Jemi një vend i vogël për nga sipërfaqja – të gjitha vendet e bukura janë maksimumi pesë orë me makinë larg.
Si e prezantoni veten me dikë që ju takon për herë të parë?
Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Pas shkollës së mesme studiova financë, por shpejt kuptova se pasioni im ishte marketingu sepse më pëlqen të punoj dhe të ndërveproj me njerëzit. Pra, kur fillova punë për herë të parë gjashtë vjet më parë, ishte në marketing dhe vazhdoj të punoj në atë disiplinë edhe sot.
Ju jeni gjithashtu një influencer dhe blogere e stilit të jetesës. Çfarë ju frymëzoi për t’u bërë një bloger udhëtimesh dhe si e balanconi hobin tuaj me punën?
Për fat të mirë, ne kemi shumë festa zyrtare në Shqipëri, të cilat zakonisht bien të premteve dhe të hënave, kështu që unë i planifikoj mini-pushimet e mia rreth asaj kohe. I përdor pushimet për të udhëtuar brenda dhe jashtë vendit. Katër ditë janë të mjaftueshme për një pushim të vogël, kështu që nuk më pengon në punë.
Katër vjet më parë, fillova të postoja për aventurat e mia në rrjetet sociale. Më pëlqente të tregoja për vendet ku shkoja, të ndaja gjërat e vecanta që shihja. Në një moment vura re se veçanërisht shqiptarët, iu përgjigjën shumë mirë këtyre postimeve. Gjithnjë e më shumë njerëz filluan të më kërkonin këshilla se ku të shkonin dhe si, ndaj fillova të krijoj përmbajtje më me vetëdije.
Meqë Shqipëria nuk është shumë e njohur dhe unë në atë kohë punoja me njerëz të huaj, mendova: “pse të mos ndihmoja në promovimin e vendit tim dhe të argëtohesha në të njëjtën kohë? Ndaj fillova të jap informacion dhe guida. Pra, sa herë që më jepet rasti, shkoj në disa nga vendet më të veçanta dhe shkruaj përmbledhje të shkurtra rreth tyre së bashku me udhëzime për udhëtimin në postimet e mia.
Cilët njerëz ju ndjekin? Janë Shqiptarë apo janë nga e gjithë bota?
Ndjekësit e mi janë kryesisht shqiptarë dhe evropianë, shumica prej tyre janë nga Italia, Gjermania dhe Spanja. Por kam edhe ndjekës nga Greqia.
Cilat kanë qenë aventurat më qesharake apo më emocionuese që keni pasur gjatë udhëtimit?
Më kujtohet para një viti, kur na u prish makina në jug të Shqipërisë dhe në atë vend nuk kishte as mbulim celular. Na u desh të ecnim përgjatë autostradës për të arritur diku ku mund të merrnim ndihmë.
Më në fund, një vendas u ndal. Ai kishte një makinë të madhe që ishte projektuar për të transportuar kuaj dhe kafshë të tjera të mëdha, jo njerëz. I kërkuam të na ndihmonte. Jo vetëm që na ndihmoi me makinën por dhe na tregoi për Shtegun e Jul Cezari, që u përdor nga ky i fundit për të kaluar me ushtrinë e tij. Por gjëja më qesharake në të gjithë këtë histori ishte se si hipëm në rimorkion e destinuar për kafshët – ne u tronditëm plotësisht në ato pak km që bëmë, por ishte një përvojë shumë argëtuese.
Kam shumë histori të tilla. Ka dicka që dua të theksoj për shqiptarët: nëse kërkon ndihmë ose dëshiron të të tregohet diçka e veçantë, vendasit ndihen të detyruar t’ju ndihmojnë dhe janë të lumtur t’ju çojnë atje. Ata do të lënë në mes punët e tyre dhe me kënaqësi do t’ju vijnë në ndihmë dhe do t’ju çojnë në një vend që ata mendojnë se ia vlen të tregohet.
A vlen kjo lloj mikpritjeje edhe për të huajt që vizitojnë Shqipërinë?
Po, më kujtohet një situatë në lidhje me këtë. Kur po udhëtoja nëpër veriun e Shqipërisë me autobus dhe kishim një cift polak pranë. Shoferi i autobusit i tha atyre se bileta kushtonte pesë euro. Pastaj, një burrë ngjitur me ne, i thotw shoferit: – Pse po i gënjen? Bileta kushton vetëm tre euro. Ky njeri përfundoi duke paguar vetë biletat e polakëve për të kompensuar për veprimin e padrejtë të shoferit. Ai donte që ky çift të kishte një përshtypje të mirë për vendin tonë dhe të ndihej i mirëpritur këtu. Kur një shqiptar fton dikë në shtëpinë e tij, ai ndihet i detyruar të kujdeset për çdo nevojë të mysafirit dhe t’i mbajë të kënaqur.

Ju jetoni në Shqipëri, por punoni në fintech estoneze. Çfarë jeni duke bërë në Iute?
Unë jam pjesë e ekipit të marketingut të Iute Albania. Punoj si specialiste marketingu dhe më së shumti merrem me produktin iutePay, produkt që ofron blerje me këste me filozofinë “bli tani, paguaj më vonë”. Merrem me komunikimin, markën dhe gjithçka tjetër që lidhet me marketingun e iutePay.
Ne folëm për Shqipërinë dhe duket që është një vend i mrekullueshëm. Por çfarë dini për vendin e origjinës së Iute, Estoninë? Keni menduar të udhëtoni në Estoni?
Po, sigurisht që po. Meqenëse kam dëgjuar shumë gjëra interesante për Estoninë, dua ta vizitoj këtë vend. Ne kemi mbajtur konferenca edhe në Shqipëri ku kam takuar estonezë dhe më duhet të them që është shumë intriguese të përjetosh drejtpërdrejt se si teknologjia ka ndryshuar jetën e njerëzve. Di që Estonia është një vend shumë i zhvilluar në aspektin teknologjik, ka shërbime shtetërore tërësisht digjitale.Kam lexuar pak dhe për historinë e vendit. Kemi shumë ngjashmëri, për shembull fakti që të dy shtetet e hoqën qafe regjimin komunist në vitet 1990. Estonia u clirua nga Bashkimi Sovjetik dhe ne këtu nga sundimi i diktatorit tonë komunist. Gjithashtu, di se Talini është një qytet shumë i bukur dhe se qyteti i vjetër është pjesë e listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Megjithatë, kemi edhe dallime në kulturë dhe gjuhë. Shqipëria ka ndikime të forta nga Perandoria Osmane dhe Romake. Estonia ndikohet nga Nordikët. Ju jeni më të qetë dhe më të ekuilibruar, kurse ne shqiptarëve na pëlqen të festojmë. Na pëlqen të këndojmë, kërcejmë dhe çdo gjë tjetër që ka të bëjë me argëtimin. Estonezët janë minimalistë dhe u pëlqen të lidhen me natyrën, ndërsa shqiptarët janë të pasionuar dhe iu pëlqen të komunikojnë me njëri-tjetrin përmes muzikës, ushqimit dhe kërcimit. (Qesh.)

Tani, nëse dikush lexon këtë intervistë dhe fillon të mendojë për të vizituar Shqipërinë, çfarë i rekomandoni të bëjë, ku të shkojë?
Vendi ynë tu ofron dicka për të gjithë, pra cfarë dëshiron të bësh varet kryesisht nga lloji i udhëtarit që je. Për shembull, nëse jeni të interesuar për historinë, ia vlen të shkoni në Butrint – është një park kombëtar nën mbrojtjen e UNESCO-s. Mund të zgjidhni rrugët romake të njohura si Shtigjet Iliricum. Kemi edhe shumë kështjella mesjetare përgjatë bregdetit dhe në shumicën e qyteteve tona.
Nëse jeni një person që ju pëlqen të argëtoheni, të shijoni muzikën dhe kërcimin, atëherë jeni në parajsë sepse gjithmonë ka një festë apo festival që ndodh diku në plazh apo në qendrat e qyteteve krysore.
Nëse jeni të dashuruar pas natyrës, ka shumë vende ku mund të bëni ecje ose ngjitje në male. Pjesa veriore e Shqipërisë është e rrethuar nga malet Dinarike, të cilat ne i quajmë Bjeshkët e Nemuna ose Alpet Shqiptare. Aty mund të eksploroni bimësinë dhe të admironi ujëvarat. Ose mund të shijoni lumin e fundit të egër të Europës Vjosën, e cila mbrohet nga Bashkimi Europian. Nuk ka diga. Pra, është një mundësi unike për të bërë rafting sepse rrjedha e ujit atje është e fortë.
Sigurisht, ju nuk mund të lini pa parë plazhet tona. Për mendimin tim, Riviera Shqiptare ka plazhet më të bukura në Mesdhe. Nëse doni të vizitoni të gjithë plazhet tona më të bukura, mund të kaloni lirisht një muaj të tërë duke eksploruar secilin prej tyre.
Kemi edhe dy “sy blu” siç i quajmë ne. Këto janë burime natyrore me ujë shumë të ftohtë (deri në 8gradë) dhe shumë të pastër, në ngjyrë të kaltër, të cilat ndodhen njëri në veri dhe tjetri në jug të vendit.
Çfarë ushqimi do t’i rekomandonit dikujt që viziton Shqipërinë? Çfarë duhet të provojnë?
Ju duhet të provoni byrekun. Është një pastë e veçantë që mbushet me gjithçka që mund të dëshironi. Mund ta mbushni me djathë, mish, spinaq – çfarëdo që ju pëlqen, dhe është një nga ushqimet më të lehta, më të shijshme dhe më të lira.
E preferuara ime është tava e kosit, mish qengji i pjekur në furrë me kos. Kjo është një pjatë shqiptare që mamaja ime e gatuan pothuajse çdo të dielë.
Ne gjithashtu kemi mënyrën tonë specifike të përgatitjes së bakllavasë, një ëmbëlsirë. Bakllavaja turke është e njohur, por ne e bëjmë atë në mënyrën tonë. Më pas kemi dhe tavën e dheut, e gatuar me domate, speca, djathë dhe mish si dhe shumë supa të ndryshme.
Përveç kësaj, më duhet të përmend se ushqimi që kultivojmë është i shijshëm. Kam jetuar në Gjermani për disa kohë dhe më kujtohet kur shkoja në supermarket dhe më duhej të nuhasja të gjitha varietetet e domateve vetëm për të gjetur një që mbante erë si ato në Shqipëri. Këtu jo vetëm që mund ta nuhasni, por edhe ta ndjeni shijen autentike, ta shijoni vërtet. Dhe shija është gjëja më e rëndësishme në çdo vakt!